Plot tre gola i shënoi sulmuesi i Malishevës, Altin Aliu, skuadrës së Gjilanit të mërkurën pasdite. Malisheva mposhti Gjilanin në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë me rezultat të thellë, 4:1, në kuadër të javës së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll.

Arbër Prekazi shënoi gol për Malishevën në minutë ne parë të kohës shtesë të pjesës së parë. Ai shënoi nga afërsia pas daljes së gabuar të portierit Kenan Haxhihamza.

Portieri i Gjilanit nuk arriti të largojë topin e harkuar nga Drilon Hazrollaj.

Më pas në skenë doli Altin Aliu. Ai shënoi për 2;0 në minutën e 57-të, ndërsa Gjilani ngushtoi epërsinë në 2:1 në minutën e 65-të. Por Aliu shënoi sërish për 3:1 në minutën e 82-të, derisa “hat-trickun” e kompletoi në minutën e 86-të.

Pas fitores ndaj Gjilanit, Malisheva e ka arritur me pikë kampionin Ballkanin. Të dy skuadrat tani kanë nga 40 pikë, ndërsa Gjilani zë vendin e katërt me 34 pikë.