Drita e ka pësuar humbjen e dytë rresht në Ligën e Konferencës. Por kampionia e Kosovës në futboll ia doli që të avancojë nga faza e ligës në plejofin e fazës nokaut. Skuadra gjilanase tani do t’i ketë edhe dy ndeshje përmes të cilave mund të avancojë në një të tetën e finales.

Të enjten mbrëma Drita pësoi humbje të thellë, 3:0 nga Rayo Vallecano në Madrid. Me rezultatin 3:0 kishte pësuar edhe javën e kaluar në “Fadil Vokrri” nga skuadra holandeze, AZ Alkmaar.

Rayo Vallecano, që garon në La Liga, ishte favorite e madhe ndaj skuadrës kosovare. Dhe dominoi plotësisht për fitore bindëse. 

Florian Lejeune shënoi për 1:0 në minutën e 33-të. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë e ndeshjes. Gerard Gumbau në minutën e 66-të shënoi për 2:0, pas një goditje indirekte në zonën e Dritës. Ndërkohë për 3:0 realizoi Alfonso Espino në minutën e 83-të.

Drita e përfundoi fazën e ligës në pozitën e 20-të me tetë pikë. Fitoret ndaj Shelbournet dhe Shkëndijës, si dhe barazimet me KuPS-in e Omonian, ia siguruan avancimin tutje skuadrës së Dritës.
Rayo përfundoi në vendin e katërt dhe kualifikohet direkt në një të tetën e finales.

Drita për herë të parë u paraqit në fazën e ligës në “Conference League”, që është niveli i tretë i garave kontinentale për klube. Faza e ligës e zëvendëson atë grupore. Dhe menjëherë Drita avancoi në fazën nokaut, që është sukses i madh për skuadrën kosovare.

Ndeshjet e plejofit të fazës nokaut zhvillohen më 19 dhe 26 shkurt të vitit të ardhshëm. Shorti do të tërhiqet më 16 janar. Në short, Drita do të jetë në mesin e skuadrave jobartëse. 

Në fazën e ligës garuan 36 skuadra. Tetë të parat avancuan direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej vendit të nëntë e deri në vendin e 24-t, avancuan në plejof. Ndërkohë skuadrat prej vendit të 25-të e deri në vendin e 36-të eliminohen.