Prishtina e Re ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në garën për mbetje në Superligën e Kosovës.

Prishtina e Re të hënën e mposhti Drenicën me rezultatin 2:0 në kuadër të xhiros së 21-të. Për skuadrën e Qëndrim Kidës ishte fitorja e dytë radhazi në kampionat.

Kjo ndeshje u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, pasi terreni në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme.

Lorik Dobratiqi i shënoi dy golat e fitores për Prishtinën e Re.

Sulmuesi 25-vjeçari golin e parë e shënoi në minutën e 41-të. Ndërsa për 2:0 shënoi në minutën e 57-të.

Ndërkohë për Drenicën ishte disfata e dytë radhazi në elitë. Drenica me këtë humbje bie në pozitën e fundit me 21 pikë.

21 pikë ka edhe Prishtina e Re që është ngritur në pozitën e parafundit.