Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka pranuar cilësinë e Sllovakisë, por ka thënë se do të bëjnë çdo gjë të mundur për të siguruar finalen e plejofit për kualifikim në Botërorin e këtij viti.

Sllovakia e Kosova takohen të enjten prej orës 20:45 në Bratislavë, në gjysmëfinale të plejofit. Kosova për herë të parë ka arritur në këtë fazë, ndërsa tani e synon historinë. Kualifikimi eventual në Botëror, por edhe në finale të plejofit, do të ishte sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën.

Kosova e ka nisur grumbullimin të hënën, kurse në mesditë Foda doli në konferencë për shtyp.

“Jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë ndeshje e lehtë. E dimë që Sllovakia ka ekip shumë të mirë. Kur e ka topin, di të luajë shumë mirë. Kemi shumë besim në ekip. Kemi treguar kualitetin tonë, kemi dëshmuar se edhe si mysafir mund të luajmë shumë mirë dhe të fitojmë ndeshje. Në tri ditët e ardhshme do të përgatitemi intenzivisht. E duam finalen në shtëpi dhe do të bëjmë çdo gjë për të fituar në Bratislavë ndaj Sllovakisë”, ka theksuar tekniku gjerman.

Ai ka shtuar se lojtarët në aspektin fizik janë të përgatitur, vijnë nga faza e ndeshjeve me skuadrat e tyre,  dhe rrjedhimisht i gjithë fokusi deri të enjten do të jetë në aspektin taktik.

Te Kosova mungojnë lojtarë të rëndësishëm si kapiteni Amir Rrahmani, lideri i mesfushës, Leon Avdullahu, por eddhe Muharrem Jashari e Leart Paqarada.

Por Foda nuk është i brengosur.

“Sigurisht që mungesat e Rrahmanit dhe Avdullahut janë të rëndësishme. Rrahmani është kapiten i skuadrës dhe shumë i rëndësishëm edhe për personalitetin. Po ashtu Avdullahu është strateg shumë i madh si mesfushor. Do të na mungojnë shumë. Por kemi bërë llogaritë tona dhe besoj se do t’i gjejmë zgjedhjet e duhura. Por deri më tani kemi zëvendësuar lojtarë shumë të rëndësishëm. Gjithnjë kemi treguar se lojtarët që kanë fituar rastin e kanë merituar, e kanë arsyetuar besimin”, ka thënë Foda.

Lidhur me Avdullahun, Foda ka thënë se kanë opsione të shumta për mesfushë si Vesel Demaku, Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija, Veldin Hoxha, Lindon Emërllahu, Valon Berisha.

Franco Foda Avdullahu Demaku Muslia

I pyetur për Bujar Pllanën, që iu bashkua Shqipërisë, Foda ka thënë se e kanë përcjellë nga afër, por se kanë vendosur për lojtarë të tjerë. Thotë se secili i përzgjedhur ka kontribuuar që Kosova të jetë në këtë pikë dhe secili është i  rëndësishëm. Ai ka respektuar zgjedhjen e Pllanës, duke shtuar se secili lojtar i Kosovës, duhet të luajë me zemër dhe të marr vendimin vet.

Foda ka luajtur në ngjarje të mëdha me Austrinë, por Kosova e kërkon kualifikimin e parë. Ai e di që të gjithë e kërkojnë historinë.

“Kur ishim në grupe e kemi parë se ishin shumë të vështira. Ishte ëndërr të kalojmë fazën e grupeve. Qëllimi ishte të arrijmë të paktën në plejof. Tani jemi në plejof dhe mund të shkruajmë histori. Kosova ende nuk është kualifikuar për Botëror apo Evropian. I kemi dy ndeshjet e radhës. Duhet ta kemi parasysh që Sllovakia e ka mposhtur Gjermaninë në shtëpi. Pra ka cilësi.I kemi dy ndeshje dhe Kosovën do ta përfaqësojmë denjësisht. Lojtarët janë shumë të motivuar. Po mbizotëron shpirti luftarak. E dimë që edhe ekipi kundërshtar ka kualitet.  Detajet do të vendosin. Të enjten vendoset gjithçka”.

Për Fodën e rëndësishme është që ekipi të fitojë e jo statusi i tij në rast të kualifikimit. Ai vlerëson se ekipi është zhvilluar vazhdimisht prej se e drejton Kosovën.

“E kemi këtë eufori momentale. Dhe e rëndësishme është që prej minutës së parë të jemi të bashkuar. Duhet të bëjmë çdo gjë që ta fitojmë ndeshjen, për 90 minuta, 120 minuta apo në penallti”, thotë selektori i Kosovës.

Ai e ka planin e qartë se si do të luajë ekipi në Bratislavë.

Lidhur me Edon Zhegrovën ka thënë se ai nuk ka pasur periudhë të lehtë te Juventusi, por ka shtuar se është lojtar shumë i rëndësishëm për Kosovën.

Franco Foda, Edon Zhegrova

Foda e ka përmendur dy herë historinë, ndërsa ka shtuar se presionin e madh që është do të mundohen ta shndërrojnë në energji pozitive.

“Kemi treguar se në këto situata dimë të sillemi mirë. Është mundësi e mirë që nuk vjen shpesh. Të gjithë janë shumë të motivuar, por nuk duhet të jemi të tejmotivuar. Duhet ta kemi kokën e qetë, të ftohtë. Pavarësisht se çka ndodhë në fushë lojtarët duhet ta ndjekin planin. Kemi shanse të mira që të fitojmë, do të bëjmë gjithçka”,

Për Fodën është shumë e rëndësishme përkrahja e shikuesve. Ka thënë se tifozët ofrojnë energji shtesë dhe janë të rëndësishëm sidomos kur gjërat nuk shkojnë mirë. Ai çmon sidomos përkrahjen në ndeshjet në udhëtim, që falë tifozëve “janë dukur si ndeshje në shtëpi”.

Përzgjedhësi i “Dardanëve” thotë se do të jenë të përgatitur edhe për penallti eventuale. Trajneri me përvojë tashmë e di se kush do t’i gjuante ato, ndërsa ka thënë se penalltia në stërvitje me penalltinë në lojë dallojnë shumë.