Mesfushori i Liverpoolit, Florian Wirtz, ka dërguar një mesazh të fortë për Paris Saint-Germain përpara përballjes së tyre në Ligën e Kampionëve.
Pavarësisht formës jo të mirë së fundmi, gjermani beson se Liverpool ka potencialin për të surprizuar kampionët e Francës dhe Evropës.
“Është një garë e madhe dhe çdo ndeshje është e veçantë. Ne duam ta shfrytëzojmë maksimalisht dhe të shkojmë sa më larg”, deklaroi Wirtz.
Ai theksoi se përballje të tilla janë motivuese për ekipin, duke mos u fshehur pas formës së dobët që po tregon Liverpooli.
“Është fantastike të luash kundër skuadrave të tilla. Këtë sezon kemi treguar se jemi të fortë në ndeshjet e mëdha të Ligës së Kampionëve”.
“Ne besojmë te vetja jonë, kemi një ekip të mirë dhe trajneri po na përgatit shumë mirë. Ndeshja e kthimit në shtëpi do të jetë një avantazh për ne”, shtoi gjermani.
Ai gjithashtu konfirmoi mbështetjen e plotë të skuadrës për trajnerin Arne Slot, i cili nuk po e kalon periudhën më të mirë në klub.
“Sigurisht që jemi pas trajnerit. Një ekip duhet të ketë besim te ai”, ka thënë Wirtz.



























