Cristiano Ronaldo nuk është përfshirë në listën prej 30 futbollistëve të nominuar për Topin e Artë 2026.
France Football dhe UEFA publikuan të martën kandidatët për çmimin më prestigjioz individual në futboll, ndërsa mungesa e yllit portugez është një nga detajet që ka tërhequr më së shumti vëmendje.
Ronaldo mbetet jashtë garës pavarësisht një sezoni të suksesshëm me Al-Nassr, me të cilin fitoi titullin në Saudi Pro League.
Në anën tjetër, në mesin e kandidatëve janë Lionel Messi, Kylian Mbappé, Erling Haaland, Harry Kane, Lamine Yamal, Jude Bellingham, Vinícius Júnior dhe disa prej futbollistëve që spikatën gjatë sezonit të fundit dhe në Kupën e Botës.
Për Ronaldon, tashmë 41-vjeçar, mungesa në listën e kandidatëve mund të shihet edhe si një tjetër shenjë e ndryshimit të gjeneratave në futbollin botëror.
Portugezi është pesë herë fitues i Topit të Artë dhe për më shumë se një dekadë ishte, së bashku me Lionel Messin, figura dominuese e këtij çmimi.
Messi, ndërkohë, është përsëri në mesin e 30 kandidatëve pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Inter Miami dhe Argjentinën.
Ceremonia e 70-të e Topit të Artë do të mbahet më 26 tetor në London Palladium Theatre në Londër.
Mbetet të shihet se kush do ta fitojë çmimin këtë vit, por një gjë tashmë është e sigurt: Cristiano Ronaldo nuk do të ketë mundësi ta shtojë Topin e Artë të gjashtë në koleksionin e tij.









