Basketbollisti i Yllit nga Suaheka, Samir Zekiqi është në mesin e sportistëve që agjërojnë Ramazanin.

Ai ka rrëfyer se si është duke i kaluar ditët në izolim. Zekiqi është duke i vazhduar stërvitjet, përkundër që është pezulluar kampionati.

Zekiqi ka thënë se ditën e nisë me vrapim dhe ushtrime duke u kujdesur për ushqimin.

“Zakonisht e filloj ditën herët me vrapim dhe me ushtrime të tjera. Pjesën më të madhe dihet që e kalojmë në shtëpi, por prapë duk u kujdes për regjimin ushqimor dhe të ushtrimeve”, tregon 25 vjeçari për Kallxo.com.

Basketbollisti i kombëtares së Kosovës në basketboll tani është duke e agjëruar muajin e Ramazanit.

“Nuk kam shtuar peshë, jam mirë tash edhe agjërimi i muajit Ramazan na ndihmon shumë që të ushqehemi me rregull duke pasur kujdes më shumë, me lëngje, fruta dhe perime. Gjatë agjërimit po e shfrytëzoj më shumë ushtrime të forcës dhe me peshën time, kurse pas iftarit po dal në bahçe që të ushtroj, kardio më shumë në mënyrë që të djersitem. Kurse gjatë kohës kur e kam orarin me dal me rregullore po e shfrytëzoj me biçikletë”, tregon Samir Zekiqi, duke treguar se po bën ushtrime para dhe pas iftarit.