Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar klubet e Supërligës se të gjithë futbollistët dhe stafet e klubeve, do të testohen për COVID-19.
TestimI do të fillojë shumë shpejt dhe se do të bëhet në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
“Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i IKSHPK-së, prof.dr. Naser Ramadani, me kërkesë të FFK-së, i kanë ndërmarrë të gjitha masat për t’i siguruar testet e nevojshme për futbollistët dhe stafin e klubeve dhe tashmë janë krijuar edhe ekipet mjekësore të cilat do t’i kryejnë testimet tek futbollistët në çdo klub. Andaj, FFK kërkon nga futbollistët që të jenë të qetë dhe të vazhdojnë punën pa panik me udhëzimet e parapara nga IKSHPK, me shpresë dhe besim se i gjithë procesi i testimit do të kalojë mirë dhe asnjë prej futbollistëve nuk do të rezultojë pozitiv në Covid-19”, thuhet në njoftim.
FFK po ashtu ka kërkuar nga të gjitha klubet qe të kenë kujdes për pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të zbatojnë në përpikëri udhëzuesin dhe protokollin higjieno-sanitar për stërvitje të dërguar nga FFK dhe t’u krijojnë sa më shumë lehtësira dhe siguri futbollistëve në këtë periudhë.