Qeveria e Kosovës ka publikuar Programin qeverisës për periudhën 2020-2023. Një pjesë  e shkurtër e këtij programi i është  kushtuar edhe sportit. Gjatë  kësaj periudhe, Qeveria e Kosovës ka paraparë  që  të  hartohet Strategjia e re Sportit. Po ashtu është paraparë  edhe mbështetja e zhvillimit të  talentëve sportiv si dhe nderkombëtarizimi i mëtutjeshem i sportit. 

Sipas programit qeveritar, do të punohet në funksionalizim dhe avancim të sportit shkollor, mbështetje për personat me nevoja të veçanta, si dhe integrim të komuniteteve jo shumicë në të gjitha aktivitetet sportive. 

Programi qeveritar ka paraparë edhe fuqizimin e agjencisë antidoping dhe sektorin për hulumtimet antropologjike dhe shkencore në sport. Themelimi i kësaj agjencie është  parakusht për anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë Ndërkombëtare për Anti-Doping (WADA).

Infrastruktura sportive po ashtu nuk do të lihet anash sipas këtij progami. Do të definohet çështja e pronësisë dhe menaxhimit të infrastrukturës sportive, pastaj fuqizimi i regullativës për parandalimin e dhunës në sport, çështja e sponsorizimeve në sport. Do të bëhet modernizimi i infrastrukturës sportive, renovimi i palestrave ekzistuese dhe stadiumeve të futbollit, pishina olimpike dhe gjysmë-olimpike, palestrat e reja nëpër komuna, rehabilitimi i qendrave të skijimit, ndërtimi i shtigjeve të atletikës në qendrat e mëdha të Kosovës, ndërtimi i terreneve të tenisit nëpër komuna, ndërtimi i stadiumit nacional me standarde të UEFA/FIFA-s, ndërtimi i fushave ndihmëse të futbollit, ndërtimi i poligoneve sportive në shkolla dhe lagje. Investimet në infrastrukturën sportive do të promovohen edhe përmes partneritetit publiko-privat, në veçanti investimet e mëdha infrastrukturore sportive.