Një lajm aspak i mirë ka ardhur ditën e sotme nga Turqia, aty ku luajnë shumë lojtarë shqiptarë, teksa një ndër ta është edhe Sokol Cikalleshi, shkruan “Panorama Sport”.
Pikërisht te skuadra e Akhisaspor, ku aktivizohet sulmuesi shqiptar, kanë rezultuar pozitivë me Koronavirus 12 pjesëtarë të ekipit, 3 prej të cilëve janë lojtarë. Lajmi është konfirmuar nga vetë presidenti i klubit, me të prekurit që nuk kishin shfaqur simptoma por janë zbuluar pas testimeve të bëra.
Së fundmi ka reaguar edhe Cikalleshi, i cili për fat të mirë ka rezultuar negativ, por në shkrimin e tij, thotë se të gjithë ditën e sotme janë zgjuar të shokuar kur kanë marrë vesh këtë lajm.
“Çfarë nuk na vret na bën më të fortë! Sot ka qenë një ditë ku jemi zgjuar të shokuar nga lajmi se 12 persona te klubi ku jam unë, janë infektuar me COVID-19. Të prekurit janë 3 lojtarë, dy trajnerët eh 7 pjesëtarë të tjerë të klubit, të cilët janë karantinuar menjëherë. Unë nuk jam një nga të prekurit! Të gjithë po presim rezultatet e testeve të dyta ku besojmë se situata nuk do të përkeqësohet. Nesër na pret ndeshja e parë pas pandemisë ku do të dalim në fushë më të fortë se kurrë, për veten, por më shumë për pjesëtaret e prekur të familjes sonë të madhe.”, shkruan Cikalleshi.