Mbrojtësi nga Kosova që luan për Shqipërinë, Kastriot Dermaku, ka folur për debutimin e tij te skuadra italiane, Parma.
Ai debutoi me Parmën më 20 tetor të vitit të kaluar.
“Debutim që do të mbetet në memorien time, gjithçka ndodhi shumë shpejt. Menjëherë si e mora vesh se do të kem mundësinë të luaj, e thirra babanë tim në Kosovë dhe ai udhëtoi në Itali me aeroplanin e parë. Ishte emocionuese sepse fituam 5:1 në një ndeshje të madhe”, thotë qendërmbrojtësi i Shqipërisë për “calciomercato”.
Po ashtu ai ka folur edhe për ftesën që kishte marr nga Panucci për t’iu bashkuar Shqipërisë.
“Panucci më dha shansin t’i bashkohem Kombëtares, ishte ëndërr. Kur dëgjova, nuk mendova dy herë. Tani kam raporte të mira me Rejan, më ka dhënë vetëbesim. I kanë sjellë shumë eksperiencë ekipit. Shpresojmë të bëjmë më mirë se në dy vjetët e fundit dhe do të ishte mirë të kualifikoheshim në një garë të rëndësishme”, nënvizoi ai.
Ai ka thënë se ndihet shqiptar pasi është gjuha të cilën e flet në shtëpi me familje dhe se shkon shpesh edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë.