Të shtunën në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, vajzat nga Mitrovica kanë mposhtur ato të Feronikelit.
Pas ndeshjes, drejtuesit e klubit nga Drenasi, kanë akuzuar deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu-Kamishi dhe vëllain e tij që është president i Mitrovicës, Hajrullah Haxhiun, për fyerje dhe sulm.
Këto akuza janë mohuar nga deputeti Haxhiu.
Ai mohon se i ka dhënë ndonjë shuplakë ndokujt. Sipas tij, ai ka ndërhyrë për ta ndarë djalin e vëllait, që mos të përleshej.
“Ai është djali i vëllait tim që nuk e kam lënë me u përlesh me tjerët, që i kam nda se nuk kam shpërnda asnjë shuplakë, por vetëm i kam ndarë mos me pas përleshje. Ai është djali i vëllait tim për mos me ra në provokime me shpifësin Ragip Veselin. Ai është djali i vëllait tim që s’e kam lënë me bo probleme në stadium. Nuk është shuplakë, po e kam tërheq për qafe edhe e kam shtyrë për mos me pasë problem”, ka thënë Bekim Haxhi për KALLXO.com.