Edhe një talent kosovar i futbollit në Gjermani, mund të përfundojë te gjiganti bavarez, Bayern Munich.

Bëhet fjalë për futbollistin 17-vjeçar Fisnik Asllani, i cili është pjesë e skuadrës Union Berlin U19.

Asllani po vëzhgohet nga disa skuadra të Bundesligës, përfshirë Bayern, Schalke 04, Hertha, Wolfsburg dhe RB Leipzig, shkruajnë mediat gjermane.

Në 16 ndeshje para pandemisë, Asllani ka shënuar 15 gola dhe ka dhuruar 7 asistime.

Menaxheri i tij, Kadir Özdogan ka konfirmuar interesimin e disa skuadrave të Bundesligës, duke vecuar Bayernin si pretendentin kryesor për ta transferuar sulmuesin, raporton VAR Kosova.

Kontrata e Asllanit me Unionin skadon në fund të qershorit dhe lojtari ka shprehur dëshirën e tij që të largohet nga Union Berlini.

Ai është pjesë e përfaqësueses së Gjermanisë U18.

Po ashtu Asllani ka luajtur edhe për Kosovën U17, i grumbulluar nga trajneri Besnik Kollari në shtatorin e vitit 2018.

 Me vetëm 16 vjet e 1 muaj e 1 ditë, ai kishte debutuar për Kosovën U17 dhe në 5 ndeshje ka shënuar një gol./VAR Kosova/