Formën e mirë prej tri fitoreve rresht në Superligën e Kosovës, Llapi e ka vazhduar edhe në Kupën e Kosovës. 

Llapi të mërkurën gjatë ditës e fitoi edhe ndeshjen kthyese të gjysmëfinales ndaj Drenicës. 

Në stadiumin “Bajram Aliu”, njësoj si në ballafaqimin e parë në “Zahir Pajaziti”, Llapi fitoi me rezultatin 2:0 dhe është bërë finalisti i parë i Kupës së Kosovës. 

Të dy golat e fitores i shënoi futbollisti i krahut, Arianit Hasani. 

Për 1:0, Hasani realizoi në minutën e 66-të me asistim të futbollistit të talentuar, Elvir Gashijani. 

Në golin për 2:0 asistoi Ardit Tahiri, kur Hasani shënoi supergol me gjuajtje të fuqishme e të saktë nga distanca. 

Llapi është i vetmi ekip që në finale kaloi pa e pranuar asnjë gol në edicionin aktual të Kupës së Kosovës. 

Në 1/16 e finales së Kupës fitoi 4:0 ndaj Flamurtarit. 

Me rezultatin 2:0 e eliminoi Vushtrrinë në një të tetën e finales, kurse në çerekfinale e kaloi Malishevën pas fitores 1:0. 

Ndërkohë, Drenicën e mposhti në të dyja ndeshjet me rezultatin 1:0. 

Në finale, Llapi takohet me fituesin e ballafaqimit Prishtina – Drita. Prishtina ka epërsi nga ndeshja e parë e zhvilluar në Gjilan, pasi fitoi 1:0. 

Ndeshja Prishtina – Drita luhet sonte nga ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.