Gazetari italian Gianluca Di Marzio i ka kushtuar një shkrim të gjatë sulmuesit kosovar Vedat Muriqit, objektivit kryesor të Lazios në këtë afat kalimtar.

Di Marzio është kthyer në të kaluarën e Muriqit sa ishte pjesë e Lirisë së Prizrenit dhe rrugës së tij për në majat e futbollit evropian.

Sulmuesi i Fenerbaçes dhe kombëtares së Kosovës, Vedat Muriq ka pasur një fëmijëri jo të lehtë për shkak të luftës në Kosovë, ku Muriq kishte qenë vetëm 6-vjeçar.

“Në moshën 6 vjeç, ai duhej të mendonte për të fshehur nga ushtarët serbë, të njëjtët që kishin vrarë dhjetëra njerëz në lagjen e tij”, shkruan Di Marzio.

Gjatë luftës, Muriqi ishte shpërngulur në Shqipëri, ku pastaj ishte kthyer në Kosovë dhe kishte filluar të merrej me futboll, thuhet në reportazhin që iu është kushtuar sulmuesit shtatlartë.

“Muriqi kthehet në Kosovë, në 2005 fillon të luaj futboll te KF Liria. Nga atëherë fillon një kapitull me buzëqeshje i jetës së tij”.

Sezoni fantastik që e pati tek Fenerbaçe ka shtyrë ekipin nga kryeqyteti italian, Lazio të mendoj seriozisht të marrë shërbimet e Vedat Muriqit.

Pas dështimit për të blerë Olivier Giroud në Janar, drejtori sportiv i Lazios, ish sulmuesi i kombëtares, Igli Tare ka nisur procedurat për Muriqin.

“Me një partner si Vedat Muriqi, Ciro Immobile do të ishte i lirë të sulmonte më thellë dhe të godiste mbrojtjet e kundërshtarëve. Biancocelesti janë serioz , oferta për Fenerbaçen është dëshmi për këtë. Në pritje të zhvillimeve të reja, Muriqi mund të vazhdojë të ëndërrojë: nga lufta e Kosovës … deri në Ligën e Kampionëve”, shkruan di Marzio./VAR Kosova/