Kombëtarja e Kosovës është e mbushur me futbollistë të talentuar, të cilëve vlera e tyre dita – ditës po iu rritet. Sipas sajtit të njohur “Transfermarkt”, vlera e skuadrës së Kosovës është afër 70 milionë euro, shkruan VAR Kosova.

Vlera e saktë e skuadrës së “Dardanëve” është 69.13 milionë euro, gjithnjë sipas “Transfermarkt”.

Futbollisti me vlerën më të madhe është Milot Rashica. Kartoni i yllit të Bundesligës ka vlerën e 22 milionë eurove.

Ky është një dallim i madh me Kombëtaren e Moldavisë, pasi ka vlerën e vetëm dhjetë milionë eurove.

Sipas ‘Transfermarkt’, vlera e Kombëtares së Moldavisë është 10.23 milionë euro.

Lojtari më më vlerë i tyre është Alexandru Epureanu, mbrojtësi 33 vjeçar që luan në Basaksehir të Turqisë, dhe që vlerësohet 1.5 milionë euro.

Me fillim nga ora 20:45 në “Stadio Ennio Tardini” në Parma të Italisë, “Dardanët” do të përballen me Moldavinë në Ligën C.

Do të jetë hera e parë që Kosova takohet me Moldavinë, me ‘Dardanët’ që kanë katër vite që janë pranuar në UEFA dhe FIFA.

Ky është edicioni i dytë i Kosovës në Ligën e Kombeve. Në të parin, Kosova ende nuk ka mbaruar rrugëtimin pasi është në gjysmëfinale kundër Maqedonisë së Veriut, ndeshje e cila është shtyrë për në tetor për shkak të pandemisë. /VARKosova/