Mbrojtësi shqiptar, Gledi Mici që nga sot edhe zyrtarisht është futbollist i KF Prishtinës. Mici është transferuar si futbollist i lirë, pasi u largua nga klubi shqiptar KF Shkëndija, shkruan VAR Kosova.

Mici skuadrës së Prishtinës i është bashkuar tash e disa ditë, madje ka zhvilluar edhe një ndeshje miqësore me kryeqytetasit ndaj Vëllaznimit në Gjakovë.

Mici ishte kërkuar nga disa klube në Turqi dhe Greqi, por që fati i tij ishte i destinuar për dhjetë herë kampionët e vendit.

Pikërisht për arritjet e mëdha të këtij klubi, futbollisti nga Tirana thotë se Prishtina është vetë futbolli kosovar, derisa në potencon se ka ardhur për ta ri sjellë titullin në kryeqytetin “dardan”.

“Aq sa di, Prishtina është vetë futbolli i Kosovës, emri më i madh në vend, por me titullin e munguar dhe unë dua të provoj këtë sfidë të re, të sjelli suksesin ndaj ambicieve të klubit. Pres që të jap maksimumin dhe karshi kësaj në fund të sjellim titullin”, theksoi ndër të tjerash Mici për faqen zyrtare të klubit.

Mici më parë ishte pjesë e klubeve si Kamza (2009-2012), Flamurtarit të Vlorës (2012-2014), Kukësit (2015/16), Skënderbeut (2016-2018) dhe së fundi Shkëndijës nga Tetova (2018-2020). /VAR Kosova/