Viktor Kuka nga sezoni i ardhshëm do të jetë futbollist i KF Feronikelit. Kuka sot është prezantuar në ambientet e ish kampionit të Kosovës, shkruan VAR Kosova.

Feronikeli marrëveshjen me Kukën e ka mbyllur me lehtësi duke ditur edhe raportet e mirë të Kukës me trajnerin Afrim Tovërlani.

Kuka do të jetë përforcim i mirë për pozitën e krahut të djathtë, pasi siç dihet “Nikli” ende nuk e ka bindur Përparim Islamin që të vazhdojë kontratën.

Kuka te Feronikeli vjen nga Ferizaj, ekip në të cilin luajti sezonin e fundit, ndërkohë që në të kaluarën ishte pjesë e Prishtinës dhe Dritës, ekipe me të cilat e fitoi edhe titullin e kampionit.

Afrimi i Kukës për krahun e djathtë të mbrojtjes ishte një nevojë urgjente e klubit nga “Rexhep Rexhepi”, teksa futbollisti u shpreh i lumtur me arritjen e kësaj marrëveshje.

“Për mua është një sfidë e re, jam i lumtur që jam pjesë e Feronikelit, klub i cili ka ambicie të mëdha. Nuk është hera e parë që luftoj për titull dhe shpresoj që titullin ta sjellim në Drenas” tha Kuka për faqen zyrtare të klubit.

FC Feronikeli gjatë ditës do të ketë edhe prezantime të reja. /VAR Kosova/