Lëvizja më befasuese në orët e fundit të merkatos ishte pa dyshim blerja e Thomas Partey-t nga Arsenali.
Klubi londinez pagoi klauzolën e largimit (50 milionë euro), duke e lënë Cholo Simeonen pa një nga pikat më të forta të skuadrës në repartin e ndërmjetëm.
Trajneri argjentinas nuk mund të bënte asgjë, madje largimin e ganezit e kishte nënkuptuar në prononcimet e fundit.
Në terma afatshkurtër, “Los Colchoneros” e mbushin vendin e lënë bosh nga 27-vjeçari me Lucas Torreiran, që u transferua në Madrid në formë huazimi pikërisht nga “Topçinjtë”.
Barcelona nuk nuk mundi t’ia plotësonte dëshirën trajnerit Roland Koeman: Memphis Depay mbeti tek Lyoni dhe Dembele te Barcelona. Shkak u bë refuzimi i sulmuesit francez për t’u transferuar te Manchester United në formë huazimi.
“Blaugranat” e kishin të pamundur të shpenzonin një shumë të konsiderueshme për holandezin, pa i gjetur një destinacion të ri Osmane Dembelesë.
As Eric Garcia nuk iu bashkua katalanëve, pasi Manchester City refuzoi ofertën 18 milionë euro, duke mos lëvizur nga kërkesa 20 milionë për qendërmbrojtësin e formuar pikërisht në La Masia dhe i larguar drejt “Citizens” në vitin 2017.
Në orët e fundit, Barcelona arriti marrëveshjen për transferimin e Totibo te Benfica në huazim për 2 milionë, me të drejtën e blerjes nga portugezët për 20 milionë.
Gjithashtu Rafinha (Rafael Alcantara) i bashkohet PSG-së për tri vitet e ardhshme, me Barcelonën që përfiton 3 milionë euro dhe mban 35% të vlerës së kartonit në rast të rishitjet nga klubi parisien.
Sevilla bën një goditje të dyfishtë, duke afruar Oussama Idrissin nga AZ Alkmaar dhe Karim Rekik nga Hertha e Berlinit.