Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ishte nervoz në konferencën për media para ndeshjes me Slloveninë.
Zvicerani ka folur për ndeshjen e zhvilluar në Shkup, të cilën Kosova e humbi 1-2 nga Maqedonia e Veriut.
“Natën e kaluar e kam shikuar reprizën e ndeshjes së kaluar dhe e kam analizuar, them se nuk kemi bërë ndeshje shumë të keqe jo të mirë por jo as shumë të keqe. Rezultati ka qenë shumë i keq, jemi dëshpëruar edhe ne edhe lojtarët dhe e kanë përjetuar keq atë lojë, por tani duhet shikuar dhe nxjerrë më të mirën nga ai takim. Sikur të kishim shënuar në minutën e 90-të me Alitin dhe në vazhdim ta fitonim ndeshjen, çfarë ju do të shkruanit ju, me siguri fjalë shumë të mëdha. Pra, gjithçka ndryshon për një moment të vetëm”, ka thënë Challandes.
“Unë nuk jam budalla dhe i shoh problemet që i kemi në ekip dhe jo vetëm me Maqedoninë por për tri ndeshjet e fundit. Problemi i vetëm është se nuk krijojmë raste për të shënuar”, ka thënë Challandes.
Ai foli edhe për ndeshjen me Slloveninë që Kosova e luan si vendas në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, duke filluar prej orës 20:45.
“Me Slloveninë duhet të gjejmë zgjidhje me lojtarët që janë këtu. Sfida e parë është të krijojmë raste dhe të shënojmë, ndërsa sfida e dytë është përgatitje psikike pasi lojtarët janë të dërmuar psikikisht pas humbjes ndaj Maqedonisë. Lojtarët duhet ta ngrenë kokën lartë dhe të mendojnë për të vazhduar tutje. Në këtë ndeshje duhet treguar mentalitetin dhe karakterin tonë. Sllovenia është ekip i fortë, fizikisht. Ne jemi gati për një ndeshje të fortë dhe të vështirë”, ka thënë Challandes.
Kosova aktualisht është e treta në grup ku ka vetëm një pikë aq sa ka edhe Moldavia derisa nga katër pikë kanë Greqia e Sllovenia./VAR Kosova/



























