Dita e sotme ishte plotë befasi për Kombëtaren e Kosovës. Fillimisht u befasuan në pikën kufitare nga tifozët ‘Dardanë’, të cilët krijuan një atmosferë të zjarrtë në Han të Elezit.

Por futbollistët e Kosovës u befasuan edhe në Shkup.

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut për gjysmëfinalen e “play-off”-it për kualifikim në Kampionatin Evropian.

Dardanët kanë zbritur në fushën e stadiumit “Tose Proeski” në orën 18:00, aty ku nesër synojnë të shkojnë një hap tutje në synimin për të arritur suksesin historik.

Mirëpo organizatori bëri një lëshim jo të vogël, duke vonuar ndezjen e reflektorëve për pjesën më të madhe të stërvitjes.

Megjithatë stërvitja e Kosovës nuk u ndërpre asnjëherë.

Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë zhvillohet të enjten në orën 20:45. Skuadra që fiton do të kualifikohet në finale të ‘play-off’-it dhe në nëntor do të luajë me fituesin e ndeshjes Gjeorgji – Bjellorusi.