Në fund të këtij muaji, saktësisht më 24 tetor, pritet të luhet El Clasico në Spanjë. Mirëpo, nuk do të ketë publik në shkallët e stadiumit “Camp Nou” kur Barcelona të përballet me Real Madridin.
Tifozë nuk do të ketë as 4 ditë më herët, kur Barcelona do të luajë në Champions kundër Ferencvaroshit.
Lajmin e ka bërë të ditur Alba Verges, nga Ministria e Shëndetësisë në Spanjë.
Sipas Verges, situata është shumë e vështirë dhe nuk mund të planifikojnë prezencë të tifozëve në stadium.
“Nuk mund të futemi në aventura. Situata është e vështirë dhe nuk mund të ketë tifozë në ndeshjet që Barcelona do të luajë më 20 tetor dhe 24 tetor”, thotë ajo.
Klubi katalanas kishte dërguar protokollin për të pasur afro 30 mijë persona në stadium duke respektuar të gjitha rregullat, por kjo gjë u ndalua.