Komentatori i njohur shqiptar, Dritan Shakohoxha thekson se kombëtarja e Kosovës ka përpara sfidën më të rëndësishme deri më tani.
Kombëtarja e Kosovës do të luajë ndaj Maqedonisë së Veriut me 8 tetor në stadiumin “Todor Proeski”, me fillim nga ora 20:45 – në kuadër të gjysmëfinales së Play Offit të Ligës së Kombeve.
“Shako”, komentatori i njohur shqiptar i SuperSport ka besim tek lojtarët që Kosova ka në dispozicion për këtë takim, pavarësisht mungesës së disa lojtarëve kyç.
Ai beson se Kosova ka arritur deri këtu falë punës grupore dhe jo falë individëve dhe sipas tij vetëm Ronaldo e Maradona kanë udhëhequr skuadrat e tyre – andaj përderisa nuk kemi një të tillë – të gjithë do të japin kontributin.
“Sigurisht që është ndeshja më e rëndësishmja. Kosova ka forcë dhe lojtarë të mirë. Kosova nuk është këtu ku është për shkak të individëve, është këtu për shkak të skuadrës dhe mbi të gjitha të frymës së skuadrës. Nuk ka ardhur këtu për meritë të një futbollisti, Kosova nuk ka as Ronaldo as Maradona – sepse vetëm ata dy kanë udhëhequr kombëtaret e tyre, përderisa nuk ka një të tillë – të gjithë këta që mungojnë sot, kanë munguar edhe në ndeshjet tjera, asnjëri s’ka luajtur të gjitha ndeshjet. Mbi të gjitha dua të them që kjo ndeshje vlen një jetë për të gjithë ata djemë që janë aty, e dinë shumë mirë këtë të gjithë. Kjo është ndeshja e parë më e rëndësishme – pastaj urojë ta ketë edhe një tjetër më të rëndësishme në finale”, tha fillimisht Dritan Shakohoxha për ‘GazetaBlicSport’.
Më pas, Shakohoxha ka folur edhe për atmosferën në Shqipëri para këtij ballafaqimi, ku tha se të gjithë janë tifozë të Kosovës dhe se janë duke e pritur me padurim ndeshjen e “Dardanëve”.
“Ditën kur të luajë Kosova të gjithë në Shqipëri do t’i kemi sytë nga Dardanët, janë të gjithë tifozë – pasi edhe promon që kemi bërë tek DigitAlbi është tërhequr vëmendja e shumë njerëzve – momentalisht siç e tha edhe Redi Jupi në SuperSport, ne më shumë e njohim formacionin e Kosovës se të Shqipërisë, sepse Kosova momentalisht ka krijuar një frymë skuadre. Kosova është skuadra e gjithë shqiptarëve, siç gëzoheshin në Prishtinë – do të gëzohen edhe në Tiranë, sepse po përfaqësojnë shqiptarët dhe shpresojë që edhe t’i krenojnë shqiptarët – gjithsesi i kanë krenu që janë deri këtu, por do t’i dhurojnë një verë të bukur”, vazhdoi Shako.
Në fund, ai dha një mendim të tij lidhur me takimin, ku tha se e ka një ndjenjë që sfida do të shkojë në penallti.
“Evropianin e vitit 2016 e kemi shijuar të gjithë bashkë, kishte shumë tifozë nga Prishtina, Gjilani, Mitrovica nga çdo vend – andaj unë s’e kam parë asnjëherë si kombëtarja e jonë apo e juaja – pasi është gjithmonë e jona (të gjithëve). Mbi të gjitha kam një pikëpyetje se nuk e di a ka bë apo jo skuadra stërvitje penalltitë – se ç’kam një parandjenjë që kjo punë do të shkojë natën vonë”, përfundoi Shakohoxha.