Florian Marku është duke rrezikuar pa masë duke luftuar me dyer të mbyllura, pa mbështetjen e tifozëve të tij të flakë, të cilët në çdo luftë janë zemra e tij.
Vitin e kaluar e mbushi sallën ikonike “York Hall” në Londër, duke shitur bileta në numër rekord (1200) dhe po ashtu sjelli 800 tifozë në O2 arena, duke përfshirë edhe dy tifozë të flaktë pas tij.
Marku në meçin e tij të radhës do të jetë pa mbështetjen e dy super yjeve shqiptarë të futbollit, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, të cilët nuk munden të jenë në sallë për ta mbështetur për shkak të situatës pandemike në Britani të Madhe me Covid19.
“Për tifozët në Britani të Madhe jam i ri për ta, por në Shqipëri, Greqi dhe Austri dhe gjithë Evropën, unë kam shumë tifozë për shkak se kam zhvilluar mbi 100 meçe në kikboks dhe arte marciale (MMA), kam fituar tre tituj të botës dhe isha dhjetë vite pa humbje”, deklaroi Marku për The Sun.
Marku në intervistën e tij për “The Sun” tregoi për shoqërinë e tij me Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën dhe Shkodran Mustafin.
“Unë kam shitur 800 bileta në korrik të vitit 2019, por unë realisht i kam njohur vetëm 20 prej tyre, të cilët ishin miq dhe familjarë. Pjesa tjetër ishin tifozët të cilët ndoshta kurrë nuk i kam takuar, një gjë e mirë te ne shqiptarët është se ne qëndrojmë në kontakt me njëri-tjetrin në gjithë botë”, shtoi Marku.
Boksieri shqiptar po ashtu ka rrëfyer se ylli i Arsenalit, Granit Xhaka stërvitet me trajnerin e njëjtë të fitnesit.
“Graniti stërvitet me të njëjtë fuqi dhe me trajnerin e fitnesit, që ushtroj unë. Nuk mund të them se cili është më i fortë, nuk dua të them, ne jemi shokë shumë të mirë dhe ai është një djalosh i shumë i mirë. Unë jam tifoz i futbollit, unë vetëm shkoj t’i shikoj kur ata më ftojnë”, ka shtuar Marku për “The Sun”.
Boksieri 28 vjeçar nuk e ka harruar luftërat e Kosovës dhe Shqipërisë, duke treguar se është një ndër arsyet që ka shumë djem të fuqishëm.
“Në Shqipëri dhe Kosovë kemi pasur shumë luftëra, gjithçka ishte një rrëmujë, gjërat në dhjetë vjetët e fundit janë përmirësuar por ne ende jemi vende të varfra. Gjërat po përmirësohen, por ne vazhdojmë të nxjerrim burra të fortë për shkak të paraardhësve tonë, të cilat kanë kaluar periudha të vështira”.
Në fund të intervistës, Marku ka folur edhe për legjendën e boksit shqiptar, Luan Krasniqi, të cilin e konsideron si ndër më mirët në histori.
“Luan Kransiqi ka qenë boksieri më i mirë shqiptar deri më tani, ai ka boksuar kundër Lamont Breëster, i cili ka mposhtur Wladmir Klitschkon. Por, ne kurrë nuk kemi pasur një kampion botë. Unë besoj se do të jem kampion. Boksi transmetohet në televizion dhe besoj se kjo do të më ndihmojë në udhëtimin tim për të realizuar ëndrrën”, ka përfunduar Marku.
Florian Marku do të boksojë kundër Muma Mweemba më dhjetë nëntor në Londër, meç i cili do të transmetohet në BT Sport, një ndër transmetusit më të njohur në Britanin e Madhe.
Meçi do të jetë i peshës së lehtë të mesme.
Marku ndryshe njihet si “Mbreti Shqiptar” dhe është i lindur në Lushnje të Shqipërisë, në moshën katër vjeçare së bashku me familjen e tij ka emigruar në Greqi, tani vepron dhe jeton në Londër të Anglisë. /VAR Kosova/