Ndihmës-trajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, tha se fitorja ndaj Moldavisë sonte ka qenë shumë e rëndësishme dhe ka ardhur në kohën e duhur për përfaqësuesen.

Kosova mposhti 1:0 sonte në “Fadil Vokrri” Moldavinë, duke i dhënë fund serisë së zezë prej dhjetë ndeshjeve pa fitore.

Kosova ka përfunduar në vend të tretë në grupin e vet në Ligën C të Ligës së Kombeve.

“Fitore e rëndësishme, pasi kemi pasur një vit të vështirë dhe ka ardhur në momentin e duhur. Kemi siguruar qëndrimin në ligë, por me rëndësi ka qenë kthimi i vetëbesimit. Është e vështirë që brenda një jave të luajmë tri ndeshje të këtij niveli, duke pasur parasysh mungesat që kishim. Por me rëndësi është se u kthye mentaliteti fitimtar. Mendoj se sot e patë një skuadër të bashkuar, siç ishte edhe ndaj Sllovenisë. Na ka krijuar vështirësi kundërshtari dhe shihet se nuk ka kundërshtar të lehtë”, tha Sahiti pas ndeshjes.

Ai ka folur edhe për lëndimin e mbrojtësit Amir Rrahmani.

“Lëndimi i Rrahmanit na çrregulloj shumë, u detyruam të bënim ndryshimin herët. Stafi mjekësor po merret, nuk besoj se është lëndim serioz, megjithëse Amiri nuk dorëzohet lehtë”, tha Sahiti.