Arijan Ademi ka një vit tjetër fantastik pas tij, në të cilin u zgjodh futbollisti më i mirë në kampionatin kroat. Ai me Dinamo Zagrebin u kualifikua në fazën eliminatore të Ligës së Evropës dhe me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut siguroi pjesëmarrjen në kampionatin Evropian “Euro 2020”.
I lindur në Shibenik, Ademi ishte e logjikshme që do ta barte fanellën e ekipit përfaqësues të Kroacisë, por në periudhën kur po mendohej se për cilin shtet do të luante, trajneri kroat Niko Kovaq nuk dha sinjale se e merr seriozisht këtë lojtar.
Ademi në një intervistë për mediumet në Kroaci zbuloi se ndër më meritorët për vendimin e tij që të luaj për Maqedoninë e Veriut është ish-lojtari i përfaqësueses së këtij vendi, Agim Ibraimi.
“Kur isha më i ri, shkoja në Maqedoni çdo dimër. Kam pasur ndjenja të forta për atë rajon, gjyshërit e mi jetojnë atje, të afërm, dhe kemi një shtëpi familjare. Një rol të madh në vendimin tim luajti Agim Ibraimi, i cili luajti për Shkëndijen, Mariborin, Astanan… Kush e di, mbase po të mos ishte ai nuk do të kisha pranuar ftesën, por nga këndvështrimi aktual jam i bindur që kam marrë vendimin e duhur. Unë jam i vlerësuar në Maqedoni, jam i respektuar në maksimum dhe me të vërtetë kënaqem sa herë që shkoj atje”, ka thënë Ademi.
Ademi 29-vjeçar është kapiten te Dinamio Zagrebi, derisa para se të vendoste për Maqedoninë e Veriut, luajti tri ndeshje për Kroacinë. Ai luajti në të gjitha grupmoshat e Kroacisë. Për Maqedoninë e Veriut nga viti 2014 ka shënuar tri gola në 18 paraqitje. Ai është lider në mesfushën e përfaqësueses së Maqedonisë. Dha kontribut të madh në suksesin historik për Maqedoninë e Veriut që siguroi kualifikimin në “Euro 2020”, që shkaku pandemisë është shtyrë për verën e vitit të ardhshëm.
Ademi thotë se ky nuk do të jetë suksesi i vetëm. Ai është i bindur se Maqedonia e Veriut mund të arrijë ta kaloj fazën e grupeve në Evropian. Në Grupin C është së bashku me Holandën, Ukrainën e Austrinë.
“Unë sinqerisht besoj se mund ta kalojmë grupin, unë jam i bindur për këtë. Ne jemi një ekip i vërtetë. Problemi te Maqedonia e Veriut ka qenë që shumë lojtar nuk kanë qenë standard në ekipin e parë. Tani është situatë krejtësisht ndryshe. Ne fitojmë edhe kur nuk luajmë mirë, kështu që jam i bindur se mund të arrijmë sukses edhe më të madh në kampionatin evropian”, ka thënë Ademi.
Ademi nuk është futbollisti i vetëm shqiptar që luan për Maqedoninë e Veriut. Pjesë e suksesit të Maqedonisë janë edhe Enis Bardhi, Ezgjan Alioski, Egzon Bejtullai dhe Visar Musliu, ndërsa herë pas here ftohet edhe Ferhan Hasani dhe disa të tjerë.