Lazio u rikthye te fitorja të dielën në mbrëmje teksa mposhti Napolin me rezultatin 2-0 falë golave të Imobiles dhe Luis Alberto.
Trajneri i të kaltërve, Simone Inzaghi, foli pas triumfit për mikrofonin e “Sky Sport”, foli edhe për portën, ku gardiani Pepe Reina u aktivizua titullar, duke i zënë vendin prej disa ndeshjesh Thomas Strakoshës.
“Duhet të jem i sinqertë, Reina po paraqitet vërtet mirë. Në të njëjtën kohë, Thomas Strakosha sapo kishte kaluar COVID-in dhe unë e nxitova që e aktivizova pa u stërvitur mjaftueshëm, ishte faji im. Momenti i tij do të vijë,ai na ka dhuruar paraqitje të shkëlqyera 4 vitet e fundit, por tani Pepe është në një formë të shkëlqyeshme dhe nuk do të ishte e drejtë ta ulja në stol në këtë moment. Ai e ka fituar vendin e tij”, deklaroi trajneri italian.
Reina në Lazio u transferua si futbollist i lirë nga Aston Villa dhe po tregon ndeshje të bukura në portën e romakëve.



























