Një jetë me Kombëtaren shiptare dhe më shumë se kaq në Bundesligë. Një legjendë me fanellën kuqezi, po aq sa edhe te Hannoveri, ku ka marrë përshëndetjen drithëruese me të gjithë stadiumin që e falënderoi për karrierën. Altin Lala, në një intervistë për “Panorama Sport”, analizon shortin e Shqipërisë.
Thotë të vërteta të hidhura për Shqipërinë, sidomos kur flitet për ekipe si San Marinoja dhe Andorra, por njëherazi thur edhe elozhe për brezin me trajnerin Reja. Ish-kapiteni në fjalën e tij tregon si e “markoi” gjigantin Heskey, por edhe episodin e veçantë në aeroport me gjyqtarët e takimit, të cilët ia anuluan golin e rregullt Altin Rrakllit. “Anglia nuk është as Gjermania, Italia apo Brazili. Gjithashtu, Lewandowski te Polonia nuk është i njëjti si te Bayerni”, shprehet ndër të tjera Lala.
Kapiten, çfarë mendimi keni për shortin e Kombëtares, si u duk për ju?
Shorti, pothuajse në të gjitha grupet, është njësoj, është i vështirë. Me përjashtim të Grupit F (Danimarkë, Austri, Skoci, Izrael, Moldavi, Ishuj Faroe). Ne që jemi në vazot poshtë, na bien 2-3 më të forta.
Edhe Hungaria më e fortë se ne?
Hungaria, sipas meje, duhet të jetë pikësynimi i parë që ta lëmë pas. Nuk jemi në garë me Hungarinë, por Anglia dhe Polonia janë favorite dhe të shpresojmë që ndaj tyre të bëjmë gjithashtu figurë të mirë. Nuk kemi çfarë të humbasim dhe kjo është diçka pozitive.Image
Lala, cili është objektivi real, të mjaftohemi me vendin e tretë?
Jo! Për mendimin tim dhe kush luan futboll, duhet të ketë mentalitet fituesi. Ne kemi edhe një trajner me eksperiencë, kemi një grup të ri dhe me lojtarë të perspektivës që kanë kualitet, ndaj shpresoj që pas Ligës së Kombeve dhe ndeshjeve të fundit që bënë aty, të marrin edhe më tepër kurajë për të avancuar përpara. Pastaj, përmendim vendin e tretë sikur të thuash se mundëm Hungarinë dhe e kryem misionin. Kemi Andorrën dhe San Marinon, të cilat duhet të fitohen në fushë. Është gabim t’i shkruajmë në letër si të mbaruara dhe 12 pikë plus për ne. E ka treguar edhe koha që ne kemi dështuar me këto që quhen “të lehta.
Keni luajtur ndaj Anglisë. Si e kujton Lala ndeshjen në 2001- shin?
Ka qenë ndeshja 1-3. Faktikisht, ne kemi barazuar në minutën e 91-të, 2-2. Mirëpo, arbitri nuk na e dha atë gol që më kujtohet si sot. Për koincidencë, sot (dje) fola edhe me Altin Rrakllin. Ai shënoi dy gola. Për ta kujtuar, Geri Nevill ka hequr topin nga këndi, si të thuash, por arbitri nuk e ka llogaritur fare, edhe pse ka qenë pesë metra mbrapa. Në vijën ku ka qenë Rraklli, nuk është ofsajd. Por, meqë ka qenë lojtar i shpejtë, e ka ngritur anësori flamurin se nuk e ka parë mirë.
Gol që ka mbetur pishman për të gjithë ata që e kanë ndjekur…
Patjetër, por jo vetëm kaq. Ka një histori edhe në aeroport që vazhdon me të. Kemi rastisur ma ata arbitra në aeroport dhe anësori i ka kërkuar falje Rrakllit duke i thënë: “Nuk e pashë mirë, jo drita, jo kjo apo ajo”. Nejse… Rast që është treguar edhe në mediat ndërkombëtare, si “Europsport”, që ka qenë 3-4 metra mbrapa. Në atë ndeshje, kemi bërë minuta shumë të mira. Anglia ka pasur superkualitet, por kemi pasur edhe ne raste. Kanë qenë Sol Kembëll, Skolls, Endi Koll, Majkëll Ouen etj. Kemi luajtur vërtet shkëlqyeshëm dhe besoj që barazimi s’do të ishte i pamerituar. Pastaj, në minutat shtesë kemi marrë golin e tretë. Kemi pasur Gjermaninë, humbëm në minutën e 88-të dhe brenda katër ditëve ndaj Anglisë. Dua të them që çdo gjë është e mundur, pasi edhe në kohën tonë, me përjashtim të disa detajeve të vogla, mund të bënim më mirë. S’po them që do të shkonim në Botëror, por do të kishim marrë më tepër pikë… Me mbrojtjen që kemi tani, repart shumë i rëndësishëm që sikur të mos pësosh gol, pra të garanton minimumi një pikë.
Çfarë kujtoni nga ai 90-minutësh përballë “Tre Luanëve”?
Çfarë të them… Më kujtohet një goditje standarde për ata dhe Bekam tentoi ta krosonte direkt. Unë rastisa afër sulmuesit Emil Heski duke bërtitur: “Hajdeni mër, kapeni këtë. Mos ma lini mua”. Pikërisht me atë e kam ndërruar fanellën edhe në fund. E bukura është se sapo unë iu afrova, sepse rastisa aty me idenë për ta markuar, por fiks vetëm me ide, sepse unë nuk kisha shans të krahasohesha me atë që ishte më shumë se 2 metra (qesh…), pikërisht Heski më tha: “Ik marko Pol Skollsin se jeni njësoj, mos hajde tek unë” (qesh…). Çfarë situate!