Ismet Munishi është shkarkuar nga kryesia e Ballkanit. Munishi sot është takuar me kryesinë e klubit, të cilët e kanë njoftuar se është shkarkuar nga detyra e trajnerit të Ballkanit.

Pas takimit në një prononcim ekskluziv për Insportin, Munishi e ka konfirmuar se është shkarkuar nga Ballkani.

“Që nga sot nuk jam më trajner i Ballkanit. Pak më parë kemi pasur një takim me kryesinë, ata më shkarkuan. Jam krenar me atë çfarë kam bërë me Ballkanin gjatë këtyre muajve”, ka deklaruar Munishi.

Munishi ishte emëruar trajner i Ballkanit në qershor të vitit 2019.

Trajneri i mirënjohur e drejtoi me shumë sukses skuadrën e Ballkanit, duke e kualifikuar në finale të Kupës së Kosovës, për herë të parë në histori të klubit.

Po ashtu, sezonin e kaluar ishte në garë për titull deri në xhiron e parafundit, duke përfunduar në pozitën e tretë. Kjo nuk ishte ndodhur asnjëherë më parë në histori të klubit.

Ndërsa këtë sezon pas 18 xhirove të zhvilluara, renditet në pozitën e dytë me 38 pikë, tri më pak se sa Drita që është lidere me 41 sosh.

Munishi përveç lojës së bukur që zhvilloi me skuadrën e tij, ai bëri që futbollistët si Blendi Baftiu, Arbër Hoxha dhe Jetmit Topalli të shfaqin potencialin e tyre më së miri.

Topalli pas një super sezoni nën drejtimin e Munishit është transferuar në Superligën e Turqisë.

Munishi ka drejtuar Feronikelin, Besën, Hajvalinë, Vëllaznimin dhe Vushtrrinë. Me klubin e Vushtrrisë (Llamkos  Kosova) ai kishte fituar titullin e kampionit