Jurgen Klopp dhe skuadra e tij Liverpool janë mposhtur për herë të dytë këtë sezon të Premier Ligës. Kampionët në fuqi pësuan humbje në udhëtim nga Southampton me rezultatin 1:0, shkruan VAR Kosova.

Trajneri gjerman i Liverpoolit, Jurgen Klopp pas ndeshjes është ankuar në gjyqtarin e ndeshjes, Andre Marriner për shkak të një ndërhyrjes ndaj Sadio Manes dhe mos akordimit të penalltisë.

Klopp nuk e ka lënë pa e përmend edhe rivalin e përbetuar, Manchester United, duke i thumbuar për penalltitë e shumta të akorduara në favor të tyre.

“Çfarë ka bërë Andre Marriner (gjyqtari) me Sadio Mane, nuk jam shumë i sigurt se është në rregull. Man Utd ka më shumë penallti në këto dy vite se sa unë për pesë vite e gjysmë, por nuk ka arsye për sonte”, ka deklaruar trajneri gjerman.

Liverpooli edhe pse u mposht, mbetet lider i Premier Ligës Angleze me 33 pikë pas 17 ndeshjeve të zhvilluara, për shkak të gol dallimit më të mire se sa Manchester United.

Man Utd renditet në pozitën e dytë me 33 pikë, me një ndeshje ma pak se sa Liverpooli.

Gara për titull në Angli duket se do të jetë tejet interesante, pasi më 17 janar në “Anfield” këto dy skuadra do të matin forcat e tyre. /VAR Kosova/