Jose Mourinho i ka bërë thirrje Premier Leagues që t’i shmangë shtyrjet e ndeshjeve për shkak të shqetësimeve për Covid-19. Ndeshja e Tottenhamit në “Villa Park” javën tjetër është në dyshim, pasi 10 lojtarë të ekipit të parë tek Aston Villa dolën pozitivë në testet për koronavirus.

Skuadra e Mourinhos e ka një ndeshje të shtyrë, atë kundër Fulhamit, pas rasteve që u shfaqën tek ekipi i drejtuar nga Scott Parker. Takimi kthyes kundër rivalit nga Londra në muajin prill, do të shtyhet po ashtu, pasi Spursi arriti në finale të Kupës së Ligës.

“Është momenti që Premier League të tregohet lider, të marrë vendime. Një klub si ne po bën gjithçka, çdo ditë, për t’u përgatitur për lojë, për t’i përcjellë rregullat që i kemi në duart tona”, ka thënë Mourinho para duelit të së dielës në Kupën FA, kundër ekipit nga rangu i tretë i futbollit anglez, Marine.

“Nëse nuk luajmë kundër Aston Villas, do të jenë tri ndeshje të shtyra, dhe kjo do të ishte e pamundur. Pas sezonit ne kemi Evropianin që është paraparë të fillojë më 11 qershor, dhe natyrisht Evropiani nuk do të shtyhet”, ka shtuar tekniku portugez i klubit londinez.

Mourinho ka thënë se i gjithë ekipi ka dalë negativ në raundin e fundit të testeve, pavarësisht se trajneri i Brentfordit, Thomas Frank, doli pozitiv pas gjysmëfinales në Kupën e Ligës të cilën e fitoi Tottenhami.

Sulmuesi Gareth Bale mund të paraqitet sërish kundër skuadrës Marine, pasi e ka lënë prapa lëndimin në muskul. Bale ka stërvitur me ekipin e parë të Spursit të premten.