Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë sot ndaj asaj të Gambisë një ndeshje miqësore të luksit në Antalia të Turqisë. 

Dardanët kanë zhvilluar tri miqësore në këtë fillim muaji të qershorit, ku e para ishte në Prishtinë dhe u fitua 4-1 ndaj San Marinos.

Kosova më pas luajti në Austri ndaj Maltës duke fituar me rezultat të ngushtë 2-1 dhe më pas u shpërngul drejt Turqisë për dy miqësore të radhës.

Në dy miqësoret e Turqisë, përzgjedhësi Bernard Challandes zgjodhi shumicën e futbollistëve nga Superliga e Kosovës dhe ata që luajnë më rrallë.

Ndeshja e parë në Antalia ndaj Guinesë nuk shkoi si është më së miri pasi u mposhtem 2-1, por u provuan shumë lojtarë të rinj që synohen për të ardhmen.

Sot (e premte), Dardanët janë gati për ndeshjen e katërt miqësore apo të dytën në Turqi, pasi sot përballen me afrikanët e Gambisë.

Djelmoshat e Challandes do të dalin në fushën e ‘Arslan Zeki Demirci Spor’ me fillim nga ora 19:00.