Trajneri i ekipit olimpik të xhudos Driton Kuka përmes rrjetit të tij social “Facebook” ka njoftuar që ekipi i tij i ka mbyllur garat në Lojërat Olimpike, dhe se medaljet olimpike për popullin shqiptar së shpejti do të zbarkojnë në Kosovë.
Xhudistët e ekipit olimpik të Kosovës i përfunduan garat me dy medalje të arta olimpike, ku fillimisht ishte Distria Krasniqi ajo e cila ia solli medaljen e parë Kosovës në “Tokio 2020”, dhe më pas xhudistja Nora Gjakova.
.Kosova me dy medaljet e arta olimpike në “Tokio 2020”, tani numëron tre medalje olimpike, pas asaj të Majlinda Kelmendit në “Rio 2016”, e cila është edhe medalja e parë e artë olimpike për Kosovën.
“Ende po më duket si ëndërr e mirë, pesë garues e dy të arta. Medaljet janë të krejt ekipit me protagonistë Disin e Norën! Ashtu siç ishte e arta e Majlindës. Ekipi jemi ne që stërvitim, gëzohem e qajmë së bashku në fitore e humbje, aty qëndron forca jonë e madhe. Kemi në krye Agronin që çdo ditë duron tekat e mia të trajnerit, por kjo krejt është shpaguar”, tha Kuka.