Sulmuesi i kombëtares shqiptare që është duke kaluar një formë shumë të mirë me ekipin e tij Ferencvarosh, ka dëshmuar që është edhe humanist i madh. Ai po shkëlqen në këtë start sezoni me Ferencvaroshin, teksa pas tri ndeshjesh në Champions ka shënuar katër herë, më shumë sesa çdo sulmues tjetër në këtë fazë kualifikuese.
Uzuni, tre gola ka shënuar vetëm ndaj Prishtinës në Fadil Vokrri, në fitoren 1-3 ndaj Prishtinës në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, përveç golave ai ishte edhe shkaktar i dëmtimit të lojtarit të Prishtinës Sabien Lilaj. Por, sulmuesi i kombëtares shqiptare ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet e mesfushorit të Prishtinës dhe bashkëlojtarit të tij në kombëtare.
I pyetur nëse është e vërtetë që aii ka marrë përsipër shpenzimet e të gjithë trajtimit dhe rikuperimit, ai është pëgjigjur:
“Normalisht unë kam vuajtur vetë dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të mos kesh. Në 80% të rasteve, unë nuk kam pasur dhe askush nuk ma ka shtrirë dorën për të më ndihmuar. Ndaj unë e di se çfarë do të thotë kjo gjë. Jemi njerëz në fund të fundit dhe lekët nuk do t’i marrim në varr. Kur kemi mundësi që të bëjmë mirë, pse të bëjmë keq?!”