Në paraqitjen e tij të 100-të me fanellën e Zvicrës, kompania e veshmbathjeve “Puma”, e ka nderuar Granit Xhakën me këpucë të veçanta.
11 vjet më parë, (4 qershor 2011), Zvicra u përball me Anglinë në ndeshje kualifikuese për Evropianin 2012. Në praninë e rreth 85 mijë shikuesve, atëbotë i riu Xhaka hyri në fushën e stadiumit ikonik “Wembley” në Londër, duke shënuar debutimin me fanellën “kuq e bardhë”.
Të martën, më 29 mars, në radhë ishte ndeshja kundër Kosovës, që për futbollistin e Arsenalit, ishte paraqitja e 100-të me përfaqësuesen “helvetike”.
Për këtë rast, “Puma” i dha atij një dhuratë jo si të tjerat.
Derisa kundër Anglisë, më 2011, barti modelin e këpucëve V1.10, kundër Kosovës luajti me modelin “Future Z”, që është edhe i fundit i kompanisë.
Për këtë duel të veçantë, edhe dizajni ishte i tillë.
Numri “100” dukej qartë në pjesën e brendshme të këpucës. Por, në të dy pjesët e brendshme të këpucëve kishte edhe data të rëndësishme. “04/06/2011 Eng-Sui”, në nderë të paraqitjes së parë dhe “29/03/2022 Sui-Kos”, në nderë të paraqitjes së fundit me Zvicrën.