Një futbollist i talentuar që bën karrierë në Gjermani ka vendosur të luajë për Kosovën. Bëhet fjalë për Arbnor Aliun, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). 19-vjeçari është pjesë e ekipit U19 të Schalkes dhe luan në rolin e qendërmbrojtësit.

FFK-ja, ka bërë të ditur se Aliu fillimisht do të përfshihet te Përfaqësuesja U21 e Kosovës dhe po shihet si e ardhmja e ekipit A të “Dardanëve”.

“E kam zgjedhur Kosovën me zemër sepse prindërit vijnë nga Kosova dhe e di që me paraqitjen time në fanellën e Kosovës do ta bëj krenar familjen dhe veten time. Normalisht se nuk ka qenë e lehtë të tërhiqem nga përfaqësimi i Gjermanisë sepse krejt çfarë kam arritur deri më tash është falë Gjermanisë, por në këtë aspekt e kam dëgjuar ndjenjën dhe zemrën time”, ka thënë Aliu, i cili ka luajtur për ekipet U15, U16, U17 e U18 të Gjermanisë.

Ndërkohë, presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka thënë se është shumë i lumtur që po rritet numri i futbollistëve të talentuar dhe cilësor që po i bashkohen ekipeve të Kosovës.