Më 11 maj, UEFA do të mbajë kongresin e saj vjetor në Vjenë dhe një nga temat që do të diskutohet është një format i ri konkurrues potencial për Ligën e Kampionëve, i cili do të hyjë në fuqi nga viti 2024.

Plani i fundit i organit qeverisës të futbollit evropian nuk ishte aspak tërheqës dhe UEFA po përpiqet të gjejë një formulë të re për t’i dhënë një shtysë të madhe garës kryesore evropiane për klube.

Javë më parë, presidenti i Paris Saint-Germain dhe i Shoqatës Evropiane të Klubeve (ECA), Nasser Al-Khelaifi, diskutoi idenë e UEFA-s për të mbajtur një format të stilit ‘Final Four’ në qytetin e zgjedhur si vendi i asaj që ka qenë finalja e garës deri më tani.

Sipas mediumit Times, ideja po merr formë dhe mund të jetë një nga ndryshimet e para që do të prezantohet në të ardhmen e afërt.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin zbuloi se ndryshimet mund të shpallen në maj, me UEFA-n që mendon për idenë për t’u dhënë dy vende skuadrave bazuar në rekordin e tyre historik në Evropë gjatë pesë viteve, nëse ato dështojnë të kualifikohen përmes paraqitjeve të tyre në kampionatet vendase.

Fitime më të mëdha

UEFA beson se duke pritur ‘Final Four’ në një terren neutral do të ketë më shumë fitime televizive, si dhe apel më të madh komercial.

Ata po studiojnë gjithashtu mundësinë që liga e pestë me performancën më të mirë pas Anglisë, Spanjës, Italisë dhe Gjermanisë të marrë një vend shtesë.

Sipas formatit që ishte miratuar në të kaluarën, në fazën e grupeve do të ishin 10 ndeshje, ku skuadrat do të luanin po aq ndeshje në shtëpi dhe në udhëtim.

Renditja përfundimtare nuk do të ndahet sipas grupeve, me tetë të parat nga 36 skuadrat pjesëmarrëse që shkojnë direkt në raundin e 16-të.