Borussia Dortmundi po synon transferimin e sulmuesit të Nigerisë, Umar Sadiq. “Mundo Deportivo” ka shkruar të enjten, se Dortmundi ka nisur kontaktet me Almerian dhe për shërbimet e 25-vjeçarit ka ofruar 30 milionë euro.

Sadiq te Dortmundi po shihet si zëvendësim ideal për Sebastian Hallerin që ka probleme shëndetësore dhe pritet të mungojë deri në fund të këtij viti.

Sadiq sezonin e shkuar ka shkëlqyer në kategorinë e dytë të Spanjës, duke e ndihmuar Almerian të promovohet në La Liga për sezonin e ri. Ai shënoi 18 gola dhe bëri 12 asistime në 36 ndeshje kampionale.

Sadiq, i cili ka edhe shtatë ndeshje me Nigerinë, ka kontratë me Almerian deri në vitin 2025.