Sulmuesi i krahut, Lirim Kastrati, synon që skuadrën e Fehervarit ta shfrytëzojë si “trampolinë” për t’u transferuar në një klub më të madh evropian.

Në një intervistë të premten për faqen zyrtare të Fehervarit, Kastrati ka pranuar se ëndrra e tij është që një ditë të luajë në njërën prej pesë ligave më të forta të Evropës. E për ta bërë një lëvizje të tillë të madhe në karrierë, Kastrati thotë se duhet të bëjë paraqitje të mira me fanellën e Fehervarit dhe ta ndihmojë klubin me gola dhe asistime në secilën ndeshje të kampionatit hungarez. Thotë se i përshtatet më shumë Bundesliga e La Liga, ndërsa nuk do t’i kishte refuzuar as ofertat nga klubet e Premier Leagues, Serie A dhe Ligue 1.

23-vjeçari në fund të afatit kalimtar të verës iu bashkua Fehervarit nga Legia e Varshavës dhe firmosi kontratë deri në vitin 2025. Në kampionatin hungarez, Kastrati deri më tani ka një asistim në dy paraqitje. Ai u largua nga Polonia pas vetëm një sezoni për shkak se nuk arriti të dëshmohet me fanellën e Legias, ekip të cilit iu bashkua nga Dinamo Zagrebi. Hapat e tij të fundit ishin prapa, por Kastrati synon të lëvizë në drejtimin e duhur tani e tutje.

“Nuk prirem të ëndërroj, por kam synime për të cilat luftoj fort. Tani synimi im më i rëndësishëm është ta ndihmoj Fehervarin me lojë të mirë, gola dhe asistime në çdo ndeshje të mundshme. Si të gjithë futbollistët, edhe unë dua të luaj në një nga pesë ligat më të mira evropiane një ditë”, është shprehur Kastrati. “Ndoshta Bundesliga dhe La Liga janë më të përshtatshme, por nëse më bëjnë një ofertë nga Anglia, Franca apo edhe Italia, nuk do t’i refuzoj. Megjithatë, kjo është ende shumë larg, por e di se sa larg kam qenë kur fillova dhe gjatë rrugës kuptova se nëse një person është mjaft këmbëngulës dhe beson në vetvete, ai mund t’i realizojë qëllimet e tij. Por siç e thashë edhe më parë, nuk mendoj për të ardhmen e largët, dua t’i kryej detyrat e mia aktuale, sa më mirë, që i kam me fanellën e Fehervarit”.

Kastrati ka pranuar se e ka bërë zgjedhjen e duhur që i është bashkuar Fehervarit dhe këtë e ka kuptuar pas vetëm disa ditësh. Ai ka zbuluar se kishte edhe oferta të tjera, por e Fehervarit ishte më e përshtatshmja për të. Insiston se e bindi trajneri Michael Boris, ndërsa është konsultuar edhe me Myrto Uzunin, i cili ka luajtur gati dy vjet në Hungari te Ferencvaroshi, përpara se të transferohej në fillim të këtij viti te Granada në Spanjë.

Artikuj që mund të ju interesojnë

“Qysh në ditët e para e kuptova se kisha bërë zgjedhjen e duhur kur e pranova ofertën e klubit. Kushtet janë të mira dhe bashkëlojtarët më kanë pranuar shpejt në ekip, ku besoj se gradualisht po përshtatem. Këtë verë pata shumë oferta, por e Fehervarit më tërhoqi më së shumti. Pas bisedës me drejtorin sportiv dhe me trajnerin e kuptova se klubi më donte. Po ashtu kam biseduar edhe me ish-bashkëlojtarin tim, Myrto Uzunin, për futbollin në Hungari dhe Fehervarin. Kështu që jam krenar me fanellën që po e barti tani”, u shpreh Kastrati, që ka luajtur edhe për Lokomotivën në Kroaci.

“Pasi u largova nga Dinamo për shkak se nuk isha shumë i kënaqur me minutazhën, kalova në Poloni, por as atje gjërat nuk shkuan siç i kisha planifikuar. Tani jam këtu dhe dua ta jap më të mirën për ta ndihmuar ekipin”.

Aktualisht, Fehervari zë vendin e shtatë në elitën e futbollit hungarez me nëntë pikë të tubuara pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara.

Kastrati nuk është ftuar nga Kosova për ndeshjet e këtij muaji.

Mund të ju interesoj