Sergej Milinkoviç-Saviç është gati për Botërorin në Katar. Me Serbinë ai dëshiron të ecë sa më shumë përpara, pastaj do të mendojë për të ardhmen me Lazion. Kontrata me bardhekaltrit i skadon në vitin 2024, për klubin kryeqytetas italian mbetet i patransferueshëm, ndaj do të provohet karta e rinovimit.

Është shumë e rëndësishme të kesh një lojtar të tillë në skuadër dhe drejtori sportiv Igli Tare komentoi në mikrofonat e “Mozzartsport”: “Ai erdhi këtu si djalë i ri dhe tani është burrë i rritur. Pas tetë vitesh në klub, ai është një person i rëndësishëm për Lazion, jo thjesht një futbollist.

Kjo është ajo që e vlerësoj më shumë tek ai. Ai është shumë i thjeshtë si njeri. Një qenie njerëzore modeste. Ai kurrë nuk ka qenë kryelartë apo arrogant, por një djalë shumë i sjellshëm. Si futbollist është tjetër gjë. Ai mund të bëjë edhe më mirë”.

Një deklaratë e bujshme e Tares vjen për marrëdhënien me mesfushorin serb: “Nëse do ta kisha një vajzë, do t’ia jepja për martesë. A jam mjaft i qartë? Ai është një djalë shumë i qetë, ka respekt për mua, edhe pse gjithmonë e kritikoj atë.

Ndonjëherë pas një ndeshjeje, kur ai luan mirë, vjen të më pyesë: Mirë apo keq? Unë gjithmonë them se nuk është mirë dhe pastaj ai qesh se nuk jam i kënaqur kurrë. Unë gjithmonë i them që të lërë pas vetes gjithçka që ka bërë. Të vazhdojë të shikojë përpara dhe të rritet”.