Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është vetëm disa ditë larg nisjes së ciklit kualifikues për kampionatin evropian “Euro2024”.

Përzgjedhësi i “Dardanëve”, Alain Giresse, sot (e premte) do ta publikojë edhe listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e muajit mars.

Në listën e trajnerit francez pritet të ketë pak risi. Raportohet se sulmuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani, është në mesin e lojtarëve të ftuar.

“Dardanët” do ta nisin kampanjën kualifikuese me ndeshjen në udhëtim tek Izraeli më 25 mars, nga ora 18:00.

Tri ditë më vonë reprezentacioni i Kosovës luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kundër Andorrës, me fillim nga ora 20:45.