Mallorca e ka vendosur çmimin për largimin eventual të yllit të saj, Vedat Muriqi, të cilin e transferoi verën e kaluar nga Lazio për 8 milionë euro.
Sidoqoftë, klubi ishullor spanjoll do t’i përfitojë vetëm 55% të parave nga shitja eventuale e yllit kosovar, ndërsa 45% do t’i takojnë klubit italian.
Sipas “Fichajes.net”, klubi spanjoll pret ta shesë “Piratin” për së paku 25 milionë euro, ndërsa klauzola e shkëputjes së kontratës së tij sillet rreth 40 milionë eurove.
Përfaqësuesi kosovar ka qenë lojtar kyç i Mallorcas duke shënuar gola të rëndësishëm, duke e përdorur aftësinë e tij, mbi të gjitha fizike.
Dhe, paraqitjet e tij e kanë zgjuar interesimin e klubeve të ndryshme evropiane, edhe pse situata e kontratës së tij do t’i komplikonte negociatat për transferimin në një klub tjetër.