Sulmuesi Neymar do të largohet përfundimisht nga Paris Saint-Germaini këtë verë, për ta vazhduar karrierën në Premier League. “L’Equipe” ka bërë të ditur të martën se Neymar sipas të gjitha gjasave do t’i bashkohet Manchester Unitedit, ekip që në parim ka marrëveshje me Parisin.

Thuhet se Unitedi ka ofruar rreth 60 milionë euro për brazilianin, me të cilin ka nisur negociatat për ta bindur që të transferohet në “Old Trafford”.

Neymar do të largohet në fund të edicionit nga Parisi, pasi klubi francez tashmë e ka nxjerrë në shitje.

31-vjeçari është pjesë e Parisit prej vitit 2017 dhe ka kontratë deri në vitin 2025, me opsionin e vazhdimit edhe për 12 muaj të tjerë. Ai këtë edicion, të cilin e ka mbyllur para kohe për shkak të lëndimit, ka shënuar 18 gola dhe ka bërë 17 asistime në të gjitha garat.