“Manchester City jo vetëm që do ta mundë Real Madridin në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, por do ta rrëzojë atë nga froni si kampion në fuqi i Europës”. Ky është parashikimi i Wayne Rooney, i cili konsideron favorit absolut një ish-rival të madh ndërqytetas në përballjen mes Guardiolës dhe Ancelottit në gjysmëfinalen e Champions League.

Ish-sulmuesi anglez i Manchester United bashkëpunon me disa media, duke shkruar analiza për skuadrat angleze, ku është ndalur edhe te ndeshja kundër Manchester City në artikullin e fundit për “Times”.

“Sigurisht, mund të jem gabim, – shkruan Rooney në artikullin e tij, – por mendoj se Manchester City është në një nivel tjetër. Nuk mund ta nënvlerësosh kurrë një ekip me përvojë dhe histori si e Real Madridit, por këtë herë nuk do të vë bast për të.

Mendoj se ky do të jetë viti i Manchester City. Që nga fillimi i sezonit thashë se ky do të ishte viti i Pep Guardiolës, në të cilin ai do të fitojë Ligën e Kampionëve. Mënyra se si po luan muajt e fundit vetëm e ka rikonfirmuar këtë mendim”.

Një nga pikat më të theksuara është prania e Haaland te “qytetarët”: “Ndryshimi më i madh është Erling Haaland. Sezonin e kaluar në ‘Bernabeu’, skuadra e Guardiolës humbi në pesë minuta të çmendura.

Me Haaland nuk do të kishte ndodhur kështu. Real Madridi nuk mund të luajë më në të njëjtën mënyrë. Në të dyja ndeshjet ata patën momente kur ia morën topin City. Madrilenët mundën ta bënin këtë pasi City nuk kishte kërcënim real në kundërsulm.

Rudiger dhe Militao? Me shpejtësinë dhe fuqinë e Haaland, nuk mund ta ndalin atë. Mendoj se asnjë qendërmbrojtës në botë nuk mund ta ndalojë Haalandin”.