Vedat Muriqi është i lodhur. Përgatitjet fizike, seancat stërvitore në mëngjes dhe pasdite bëjnë që lojtarët e Mallorcas të jenë të rraskapitur. Kohën prej stërvitjes së parë deri te stërvitja e dytë lojtarët e drejtuar nga trajneri Javier Aguirre e shfrytëzojnë për të pushuar në dhomat e tyre.

“Të gjithë janë duke fjetur, përveç meje që jam duke e bërë këtë intervistë”, ka thënë sulmuesi i Kosovës fillimisht për mediumin spanjoll “IB3”, të hënën.

Sulmuesi i Mallorcas vlerësoi lart transferimin e një prej lojtarëve më të mirë në skuadër në edicionin e kaluar.

“Është e vështirë t’i thuhet jo skuadrës së Paris Saint-Germainit. Brenda një periudhe të shkurtër kohore ai do të jetë një prej lojtarëve më të mirë në botë dhe ne të gjithë do të mund të themi se kemi luajtur me të”, ka thënë Vedat Muriqi për ish-bashkëlojtarin, Kang-in Lee. 22-vjeçari kaloi nga Mallorca te kampioni i Francës. Lee është nga Koreja e Jugut.

Muriqi foli edhe për të ardhmen e tij. Ai e konfirmoi edhe një herë tjetër se dëshiron të qëndrojë te Mallorca dhe se “për momentin” nuk dëshiron të dëgjojë për asnjë ofertë. Prizrenasi nuk dëshiron që klubi spanjoll të jetë në presion për shkak të kësaj çështjeje.

Por, deri në mbyllje të afatit kalimtar të verës kanë mbetur edhe dy muaj.

“Do të largohem vetëm nëse ndonjë klub e paguan klauzolën”, ka thënë Muriqi.

“Në edicionin e kaluar ishim vetëm një pikë larg arritjes së zonës që dërgon në garat evropiane. Edhe edicionin e ardhshëm duhet të dalim në fushë me këmbë në tokë. Nëse nisim të flasim se do të shkojmë në Ligën e Kampionëve, nuk do të bëjmë gjëra të mira. Nëse fillojmë me nivelin e futbollit që e kemi shfaqur në përfundim të kampionatit, pa dyshim se nuk do të vuajmë dhe mendoj se mund të luftojmë për t’u kualifikuar në Evropë”, është shprehur Muriqi.