Ilir Krasniqi, Muhamet Hyseni dhe Elvir Gashijani pritet të mos jenë pjesë e Llapit në vitin 2024. Tre lojtarët sipas të gjitha gjasave pritet që karrierën ta vazhdojnë në ndonjë klub evropian. Interesimi për këtë treshe të Llapit nuk mungon. Por trajneri Tahir Batatina thotë se synon t’i shesë në klube, ku do të përfitojnë edhe lojtarët, por edhe skuadra e Llapit. Ai thotë se pret t’i fitojnë deri në 2 milionë euro nga shitja e Krasniqit, Hysenit dhe Gashijanit.
“Llapi ka dëshmuar se është ekip që mund të formojë lojtar dhe më pas t’i shesë në klube evropiane. 1.3 milionë euro është e sigurt se Llapi do t’i përfitojë nga shitja e tre lojtarëve në janar. Por verës mund t’i fitojë 2 milionë euro. Interesimi nuk mungon për të tre lojtarët”, ka thënë Batatina për KOHËN.
Ai ka zbuluar disa detaje rreth tre lojtarëve – qendërsulmuesit Hyseni, sulmuesit të krahut, Gashijani dhe mbrojtësit Krasniqi.
“Për Gashijanin nuk kam pranuar ofertën nga Hajduku, sepse duhet të rritet edhe më shumë si lojtar. Pres që Gashijani të shitet për 1 milion euro. Duhet të punoj me të ende taktikisht. Për Hysenin ka interesim nga Gjermania, Belgjika, Kroacia, Astana e Kazakistanit dhe Zvicra. Edhe për Krasniqin ka ofertë nga një klub elitar në Portugali, pastaj nga Rumania. Nuk mund të zbuloj më shumë, pasi jemi dakorduar me menaxherët që pa përfunduar të mos zbulojmë shifra e po ashtu edhe klube. Por të tre do të transferohen në klube ku do të përfitojnë lojtarët dhe Llapi”, është shprehur Batatina.