Barcelona do ta përfundojë sezonin 2023/24 pa asnjë trofe, ku pasi janë eliminuar nga Kupa e Mbretit dhe Liga e Kampionëve, pësuan humbje edhe në El Clasico dhe tani janë 11 pikë larg liderit Real Madrid.

Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve nga PSG, mesfushori i Barcelonës, Ilkay Gundogan e goditi Araujon me një deklaratë të fortë kundrejt mbrojtësit uruguaian.

Megjithatë Araujo ka thënë se Gundogan i ka kërkuar falje për komentet e tij pas humbjes së mesjavës së Barcelonës ndaj PSG-së në Ligën e Kampionëve.

“Gjithçka u sqarua me Ilkay Gundogan, fola me të dhe ai kërkoi falje. Gjithçka është mirë”, tha Araujo.

“Ka qenë një javë e trishtuar, por unë jam i fortë mendërisht. Unë punoj shumë për këtë dhe kjo është arsyeja pse jam në këtë klub””.

“Nuk ka asgjë për të thënë se sa shumë jap në fushë, të gjithë e dinë se nuk mund të qortohem për t’i dhënë të gjitha në fushë”, deklaroi qendërmbrojtësi.

Gundogan kishte thënë se Araujo bëri gabim trashanik kur ndërhyu në Bradley Barcolan dhe pastaj u ndëshkua direkt me karton të kuq.

Araujo më pas pranoi se nuk ishte shumë i impresionuar me fjalët e Gundogan, duke ndezur spekulime se kishte një përçarje mes dy lojtarëve, megjithatë tani dyshja janë sqaruar dhe ky është një lajm i mirë për Barcelonën. /Telegrafi/