Përzgjedhësi i kombëtares së Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka nënshkruar një kontratë të re dhe do të mbetet në këtë post të paktën deri pas përfundimit të Botërorit 2026, ka njoftuar sot (e premte) Federata e Futbollit të Gjermanisë. 

Nagelsmann, i cili ishte objekti kryesor për pozitën e trajnerit të Bayernit, klub nga i cili u shkarkua më shumë së një vit më parë, do të vazhdojë qëndrimin te Kombëtarja e Gjermanisë.

“Ky është një vendim nga zemra. Është një nderi madh të jem trajner i kombëtares”, ka thënë Nagelsmann në një njoftim.

Ky njoftim vjen vetëm disa javë para se Gjermania të jetë nikoqire e Kampionatit Evropian 2024, që do të zhvillohet në muajt qershor dhe korrik.

“Së bashku, ne duam që të kemi një Kampionat Evropian të suksesshëm në shtëpi”, është shprehur Nagelsmann.

Federata e Futbollit të Gjermanisë ishin ‘absolutisht të bindur’ se do të mbajnë Nagelsmann përtej këtij viti, ka thënë drejtori i kombëtares, Rudi Voeller.