Xabi Alonso ka thyer një rekord të vjetër mbrëmjen e së enjtes, teksa ekipi i tij Bayer Leverkusen ‘preu’ biletën e kualifikimit për në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.

Leverkuseni barazoi me rezultat 1-1 në udhëtim ndaj West Hamit në Londër, për të siguruar një vend në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 3-1.

Të besuarit e Alonsos tani do të kenë punë me Romën në këtë fazë, teksa kanë mbyllur përfundimisht çështjen e fituesit të Bundesligës.

Pasi evituan humbjen ndaj West Hamit, Alonso dhe Leverkuseni kanë vendosur një rekord të ri historik në futbollin evropian.

Seria e tyre prej 44 ndeshjeve pa humbje është seria më e gjatë e ndonjë ekipi që konkurron në top pesë ligat evropiane.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga Juventusi, që shijuan një seri prej 43 ndeshjeve pa humbje nën urdhrat e Antonio Contes mes majit të vitit 2011 dhe majit të 2012-ës.