Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, raportohet se i ka kërcënuar futbollistët e përjashtuar para se ata të largoheshin nga grumbullimi.
Zyrtari i MKRS-së, Ramiz Shala, mbrëmë në një paraqitje televizive deklaroi se ka informata se Agim Ademi kishte kërcënuar futbollistët Edon Zhegrova, Florent Muslija dhe Arijanet Muriq.
Të njëjtin informacion e raportoi sot edhe gazetari Arlind Sadiku.
Sipas Sadikut, njëri nga futbollistët e përjashtuar e ka konfirmuar në kushte anonimiteti deklaratën e Shalës.
“Njëri nga futbollistët e përjashtuar, në kushte anonimiteti, pranoi se Agim Ademi i ka kërcënuar duke iu thënë ‘jau thej komtë, jau prishi karrierën’”, ka thënë sot Sadiku.
Agim Ademi thuhet se iu ka thënë futbollistëve “jau thej komtë, jau prishi karrierën”, para se ata të largoheshin nga grumbullimi.
FFK-ja kishte vendosur që para ndeshjes me Qipron të përjashtojë Edon Zhegrovën, Florent Muslijën dhe Aro Muriç, për shkak se ata kishin thyer rregullat e vendosura nga përzgjedhësi Foda.
Muriq e Zhegrova kanë mohuar të kenë thyer rregullat duke i quajtur deklaratat e FFK-së si të pavërteta, kurse Muslija nuk ka reaguar akoma.
Kosova kishte udhëtuar drejt Qipros pa treshen e futbollistëve, ku edhe shënoi fitore me rezultat të thellë 4:0.